Zbulohet draft-rezoluta që pritet të miratohet të enjten në seancën parlamentare sa i takon mocionit për debat për vendimin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve.
“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”, thuhet në draft-rezolutë.
Ndërsa më tej theksohet se, “Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacenueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’, duke e njohur këtë të fundit sitë vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019”. /TCH/Telegrafi/