Mediat angleze bëjnë me dije se dorëshkrimi i një libri që do të pasonte veprën më tipike postmoderniste, “Clockwork Orange” (Portokalli mekanike), u gjet në arkivin personal të shkrimtarit Anthony Burgess. Sipas tyre, dorëshkrimi titullohet “A clockwork condition” (Një situatë me kurdisje) dhe është rreth 200 faqe.
Në të Burgess shpreh idetë e tij mbi situatën njerëzore dhe vazhdon të shtjellojë temat e “Clockwork Orange”, që fokusohej në metodat e përdorura nga shteti për kurimin e një krimineli adoleshent.
Ndryshe nga paraardhësi i tij letrar, dorëshkrimi nuk është roman.
Ai përbëhet nga shënime në formën e esesë dhe është pjesërisht filozofik dhe pjesërisht autobiografik. Vetë Burgess e ka konsideruar dorëshkrimin e pabotuar si “një qasje filozofike mbi situatën e njeriut në ditët tona”, duke përmendur shqetësimet e tij rreth ndikimit të teknologjisë, sidomos medias, filmit dhe televizionit mbi njeriun modern.
Duhet shtuar se dorëshkrimi komenton edhe polemikat shkaktuar nga shfaqja e filmit të Stanley Kubrick, “A Clockwork Orange” në vitin 1971, adaptimi nga romani me të njëjtin titull.
Sipas prof. Andrew Biswell, drejtor i fondacionit ndërkombëtar Anthony Burgess, “Clockwork Condition shpreh idetë e Burgess mbi krimin, ndëshkimin dhe ndikimin manipulues që mund të ketë kultura vizuale”.
Po sipas tij, Burgess hoqi dorë nga përfundimi dhe botimi i dorëshkrimit pasi ai e konsideronte veten romanicier dhe jo filozof. Kjo ishte arsyeja edhe pse ai në vitin 1974 botoi romanin “The Clockwork Testament” (Testamenti me kurdisje) ku prek edhe disa nga temat e lartpërmendura. /Dita/