Telegrafi

Zbulohet dizajni i veturës së re të blinduar të presidentit rus (Foto)

Dizajni i fshehtë i limuzinës së re të blinduar të presidentit rus, Vladimir Putin, e quajtur si Putinmobile, është shfaqur befasisht në internet.

Fotografitë bardhë e zi, shfaqin veturën e re “patriotike” presidenciale, dhe njëherit potencialin rus në industrinë e prodhimit të veturave, transmeton Telegrafi.

Por disa pretendojnë se limuzina e blinduar “patriotike”, e cila do të duhej të ishte e gatshme për përdorim deri në fund të vitit 2018, raportohet se do të ndërtohet kryesisht nga pjesë të vendeve të huaja, duke përfshirë edhe motorin gjigant të veturës gjermane Porsche.

Kjo veturë do të jetë e disponueshme edhe për oligarkët rusë të cilët dëshirojnë ta blejnë, por natyrisht se ajo nuk do të ketë pajisje shtesë mbrojtëse sikurse që është paraparë të projektohet për liderin e Kremlinit.

Komentatorët rusë kanë thënë se dizajni është paksa i bazuar në limuzinën tradicionale sovjetike, një gërshetim i Vollgas dhe Ladas, por edhe të Zils, që vazhdimisht kishte përcjellë dhe mbrojtur udhëheqësit komunistë.

Por ata besojnë se kjo veturë ka edhe elemente të veturave luksoze perëndimore, siç janë: Bentley Muslanne, Rolls-Royce Phantom dhe Chrysler 300C.

Dizajni i prototipit të njohur si Projekti Kortezh i “Carit të Parë” të Kremlinit, ishte publikuar gabimisht në internet gjatë muajit prill të këtij viti, ndërsa tani janë zbuluar edhe pjesët e karrocerisë së kësaj veture të shumëpërfolur.

Kjo limuzinë e udhëheqësit rus pritet të zëvendësojë ‘flotën’ prej 11 veturave të Mercedes-Benz S600 Pullman, me të cilin aktualisht vozitet Putini.

Kjo veturë gjashtë tonëshe, pritet të ketë motor tejet të fuqishëm që prodhon plotë 800 kuaj-fuqi. /Telegrafi/