Depozitimi më i madh i gjetur ndonjëherë i arit, me rreth 380 tonë, është zbuluar në Kinë, ka njoftuar Shandong Gold Group, gjatë një konference për shtyp në Pekin.
Sipas raporteve të medieve të huaja, përcjell Telegrafi, shtresa e arit në Kinën lindore është më shumë se 2.000 metra e gjatë dhe 67 metra e gjerë.
Me kapacitet të plotë, thuhet se miniera mund të prodhojë ari për rreth 40 vjet, vlera e të cilit do të arrinte në rreth 22 miliardë dollarë.
Bëhet e ditur se miniera është e vendosur në rajonin Laizhou-Zhaoyuan, në Shandong të Kinës lindore. Rajoni ka depozitat më të mëdha të arit në vend.
Kina është e pesta për nga sasia e rezervave të arit në botë pas Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
Miniera është vlerësuar të ketë ekuivalentin e 20 për qindëshit të 1,843 ton rezervave të arit të vendit. /Telegrafi/