Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është takuar sot me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
Top Channel, duke iu referuar një burimi të pranishëm në atë takim, raporton se “në takimin që ka zgjatur rreth 100 minuta mësohet se vetëm pak kohë i është kushtuar situatës politike në vendin tonë”.
Zyrtari i lartë amerikan është ndalur gjatë në rëndësinë që ka për të ardhmen e Shqipërisë çelja e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe rolin strategjik që Shqipëria luan në NATO.
Pjesë e bisedës Rama-Palmer ka qenë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse tema e aktualitetit politik në Shqipëri nuk ka marrë pjesën kryesore të vëmendjes, mësohet se zyrtari amerikan ka shprehur interes për ecurinë e reformës zgjedhore, ndërkohë që ka përsëritur mesazhin e dhënë edhe më parë nga Uashingtoni dhe Brukseli, se nuk ka asnjë arsye për të vënë në diskutim legjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë.
Ndryshe, nesër zyrtar i lartë amerikan do të takohet me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe presidentin Ilir Meta./TCh/