Telegrafi

Zbulohet baza e grupeve kriminale në Sukth të Durrësit, gjenden armë dhe municione

Policia e Durrësit ka zbuluar një bazë në Sukth e cila dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, me armë zjarri dhe me municion luftarak.

Bëhet me dije se gjatë operacionit janë sekuestruar kallashnikov, granatë, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në pranga ka përfunduar pronari i banesës, shtetasi me inicialet Adem Salillari, i cili u ndalua në flagrancë gjatë operacionit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se 2 ditë më parë, Policia e Durrësit zbuloi një tjetër bazë kriminale, nga e cila u sekuestruan 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh.

“Në kuadër të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e përdorimit të tyre nga kontigjenti kriminal, për ngjarje të rënda, specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, të mbështetur te informacionet e inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hills 2”.

Si rezultat i operacioni, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, shtetasi A. S.”- thuhet në njoftimin e policisë.