Site icon Telegrafi

Zbulohet anija romake gjatë kërkimeve për minerare pranë lumit Danub

Nuk është hera e parë që minatorët gjejnë mbetjet e epokave të mëparshme në zonat ku gërmojnë për minerare. Këtë herë, pjesët e një anijeje të mirëmbajtur lumi, e gjatë 13 metra dhe e gjerë 3.5 u zbulua përpara një ekskavatori.

“Këtu është shumë e vështirë të gjesh material organik, sidomos kur nuk është në ujë, por ne ishim me fat që e gjetëm varkën e ruajtur në tokë, në 7 metra thellësi”,  tha arkeologu Ilija Dankoviq.

“Ajo nuk u gjet në tërësinë e saj, ishte shumë e dëmtuar, por druri është në gjendje të mirë dhe duket fantastike”, u shpreh arkeologia Dragana Gavriloviq.

Arkeologët, që e kanë studiuar zonën ku më parë ndodhej një kamp romak dhe qyteti Viminasium, e kanë transferuar anijen në kampin arkeologjik, ku po kryhen kërkime të tjera.

“Ne e lëvizëm dhe e mbuluam me rërë në mënyrë që druri të mos thahet, pasi druri është material delikat dhe nëse thahet shkërmoqet. Në këtë mënyrë ne e ruajmë drurin”, sqaroi Gavriloviq, transmeton euronewsalbania.

Për momentin nuk dihet se cilës periudhë i përket anija. Mjete të ngjashme lundruese janë gjetur edhe 3 vjet më parë dhe eksperienca tregon se teknikat e ndërtimit të anijeve në këtë zonë nuk kanë ndryshuar në shekuj, ndaj dhe objekti i zbuluar mund të jetë i epokës romake, ose i shekullit të kaluar.

“Kampionet u dërguan javën e kaluar në një laborator të Hungarisë dhe presim që brenda pak muajsh të marrim rezultatet për të mos pasur më dyshime”, tha Dankoviq.

Për të eksploruar më tej anijen, arkeologëve u duhet kohë dhe para. Ata do të aplikojnë për një fond nga Ministria serbe e Kulturës dhe vizitorët do të mund ta shohin vetëm atëherë kur të ndërtohet një muze për të gjitha anijet e gjetura në Danub.

Exit mobile version