Site icon Telegrafi

Zbulohet adresa, bomba në Berlin erdhi nga Athina

Pakos së dyshimtë që është gjetur mëngjesin e së mërkurës në Ministrinë Federale të Financave, në Berlin, me marrës vetë ministrin gjerman Wolfgang Schauble, i është “gjetur” dërguesi.

Sipas adresës së shkruar ai është zv/kryetari e partisë Demokracia e Re, në Greqi, Adonis Georgiadis.

Vetë politikani grek që është lajmëruar nga ministri i Mbrojtjes së qytetarit, Nikos Toskas, me një postim në Twitter ka pohuar:

Për fat të keq është e vërtetë dhe nuk është shaka. Shënjestrimi im nga terroristët është i vazhdueshëm.

Policia greke është informuar se pakoja në fjalë, që përmbante një mekanizëm shkrepës dhe lëndë eksplozive të fuqishme, është postuar nga një zyrë poste e kryeqytetit grek, fakt që vërtetohet nga pullat dhe vulat zyrtare.

Antiterrori grek ka kërkuar prej organeve gjermane, më shumë informacion, në veçanti për instalime elektrike të mekanizmit shpërthyes dhe hollësi të tjera që mund të ndihmojnë në hetimin e çështjes dhe gjetjen e autorëve që kanë përdorur emrin e politikanit grek.

Në të njëjtën kohë, kanë nisur hetimet për të përcaktuar nga cila postë është postuar pakoja dhe si ka kaluar nga kontrolli në aeroport, kur është dërguar në Gjermani.

Vlen të përmendim se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, te libraria në kryeqytetin grek, që ka në pronësi zv/kryetari I Demokracisë së Re Adonis Gjeorgjiadhis, në emrin e të cilit është dërguar pakoja-bombë, ka shpërthyer një bombë artizanale, pa shkaktuar dëme të mëdha.

Edhe në të kaluarën, grupi terrorist grek “Komploti I celulave të zjarrit” ka dërguar pako-bombë në zyrën e kancelares Merkel, në Berlin, te zyra e ish kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ndërsa janë zbuluar në aeroport edhe pako për zyrtarë të tjerë europianë. /tch/

Exit mobile version