Stuhi të fuqishme të borës godasin gjatë natës planetin e kuq, thuhet në një studim të publikuar këtyre ditëve në revistën Nature Geosience.
“Kemi fakte për ekzistimin e stuhive të borës në Mars”, tha Emerik Spiga, shkencëtar nga Laboratori për meteorologji dinamike dhe njëri nga njerëzit kryesorë në këtë studim, transmeton KosovaPress.
Atmosfera e Marsit është e ftohtë dhe e rrallë, andaj retë e akullit mund të formohen edhe pse sasia e ujit në atmosferë është shumë e vogle krahasuar me Tokën. Sonda “Feniks” në vitin 2008 zbuloi se nga këto re mund të bie borë.
Në bazë të modelit të atmosferës dhe reve të akullit në Mars, Spiga dhe kolegët e tij konkluduan se bora është shkaktuar nga erërat e fuqishme.
Në studim thuhet se fenomene të tilla ndodhin vetëm në periudha të caktuara dhe si të tilla janë të limituara.
Sasia e borës, e cila qëndron në Mars është zakonisht e vogël.
“Nëse do të ishim në sipërfaqen e Marsit do të shihnim një shtresë të hollë akulli. Nuk është e mundur që në Mars të bëhet skijim dhe as të bëhen dordolecë”, ka thënë Spiga.