Të tjera detaje janë raportuar lidhur me ngjarjet e tensionuara në takimin e kryeministrit Edi Rama me diasporën shqiptare në Londër.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, tha se situata u përshkallëzua si brenda ashtu edhe jashtë sallës ku mbahej takimi.
“Pati protestë edhe jashtë sallës, edhe brenda saj. Kryeministri Rama u detyrua disa herë të ndërpresë fjalën për shkak të protestave brenda. Gjithashtu, pati konfrontime fizike ku mbështetës të Partisë Socialiste dhe demokratë u përplasën fizikisht,” raportoi gazetarja.
Ajo theksoi se tensionet lindën midis grupeve të shqiptarëve me qëndrime të kundërta ndaj kryeministrit.
“Takimi kaloi në konfrontim mes shqiptarësh të ndarë në dy kampe, pro dhe kundër Edi Ramës,” shtoi Beleshi.
Në lidhje me ndërhyrjen e policisë britanike, gazetarja sqaroi.
“Policia ishte e pranishme pasi ishte marrë leje për protestën. Ata ndërhynë për të parandaluar përleshjet fizike mes protestuesve. Për herë të parë, policia nuk qëndroi vetëm jashtë sallës, por u detyrua të hyjë edhe brenda për të qetësuar situatën. Dy efektivë qëndruan në sallë deri në përfundim të ngjarjes, për të siguruar rendin”, deklaroi Beleshi.