Apple mbylli një tjetër vit fiskal të suksesshëm në shtator, duke rritur të ardhurat me 33% dhe duke gjeneruar 95 miliardë dollarë fitim nga shitjet e iPhone, iPad, Mac dhe pajisjeve dhe shërbime të tjera.
Madje, sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, analistët kanë parashikuar se gjiganti i teknologjisë është në rrugën e duhur për t’u bërë kompania e parë që do të arrijë vlerën e tregut prej 3 trilionë dollarësh vitin e ardhshëm, pasi ishte e para që arriti në 1 trilion e 2 trilionë dollarë.
Sipas mediumit në fjalë, të gjitha kompanitë amerikane duhet të bëjnë të ditur se sa synojnë të paguajnë punëtorët e huaj kur aplikojnë për viza.
Kjo duket në të dhënat e lëshuara nga “Zyra e Certifikimit të Punëtorëve të Huaj në SHBA-së”.
Kështu kohët e fundit ajo zbuloi një grup të ri nga tremujori i tretë, duke zbuluar informacione për gati 1000 viza pune të Apple dhe duke hedhur dritë mbi atë që kompania paguan për role të caktuara – edhe pse me të dhëna që kanë disa kufizime.
Megjithatë, aty ofrohet një “udhëzues i vlefshëm” për pagat vjetore në Apple për pozicione të tilla si zhvillues softuerësh, inxhinierë elektrikë, menaxherë kompjuterësh dhe sistemesh informacioni dhe statisticien.
Po sipas BI, përcjell Telegrafi, pagat e zbuluara ishin kryesisht të punëtorëve në Kaliforni, Teksas dhe Uashington, por ato përfshinin gjithashtu punëtorë në Nju Jork, Kolorado, Massachusetts, Oregon, Florida, Nju Xhersi, Karolinën e Jugut, Karolinën e Veriut dhe Illinois.
Siç bëhet e ditur në shkrimin e BI, personi më i paguar në grupin e fundit të të dhënave ishte një inxhinier i shquar në Kaliforni, të cilit iu ofruan 350,000 dollarë, ndërsa më pak të paguarit nga aplikantët për vizë ishin dy kontabilistë në Teksas, secili prej 106,500 dollarësh.
Për shembull, sipas po të njëjtave të dhëna, ndër tjerash, një inxhinier i zhvillimit të softuerit për sisteme paguhet nga 128,200 deri në 220,000 dollarë; një inxhinier i zhvillimit të softuerit paguhet nga 132,000 dollarë deri në 239,871 dollarë; një inxhinier i zhvillimit të harduerit paguhet 135,000 dollarë deri në 190,000 dollarë; një inxhinier i zhvillimit të softuerit për aplikacione me 130,000 deri në 240,000 dollarë.
Gjithashtu, në këto të dhëna është bërë e ditur se një inxhinier i zhvillimit të softuerit merr 120,000 dollarë deri në 246,000 dollarë; menaxheri i projektit inxhinierik nga 135,000 dollarë deri në 215,000 dollarë; menaxheri strategjik i burimeve me 115,000 dollarë deri në 150,000 dollarë; menaxheri i sistemeve kompjuterike dhe informacionit nga 128,606 dollarë deri në 252,117 dollarë; inxhinier i mjeteve dhe automatizimit nga 129,000 dollarë deri në 167,840 dollarë. /Telegrafi/