Policia e Shtetit ka njoftuar se katër punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Velipojë me argumentin se nuk kanë përmbushur detyrën pasi mbi 10 mijë bimë narkotike kanabis u gjetën të kultivuara në një fshat.
Policia gjithashtu njofton se ka asgjësuar mbi 10 mijë bimë narkotike, transmeton Telegrafi.
“Asgjësohen nëpërmjet djegies 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që ishin kultivuar në këtë fshat”, vijon njoftimi.
Nga hetimet paraprake, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezulloi nga detyra, për mospërmbushje të detyrave (shkelje e parashikuar nga neni 209/1 i rregullores së Policisë së Shtetit), 4 punonjës policie:
-Nënkomisar P. P., shef i Stacionit të Policisë Velipojë, njëkohësisht përgjegjës për monitorimin e zonës;
-Nënkomisar A. Ç., specialist i njësisë “Shqiponja”, përgjegjës i zonës për kontrollin e territorit nga DVP Shkodër;
-Nënkomisar A. Xh., specialist për hetimin e krimeve në zonën ku u gjetën bimët narkotike;
-Inspektor i parë A. T., ndihmësspecialist (SPZ) në zonën ku u gjetën bimët narkotike;
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ato të Stacionit të Policisë Velipojë, pas informacionit të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në territorin e njësisë administrative Velipojë. /Telegrafi/