Site icon Telegrafi

Zbulohen karakteristikat dhe çmimi i limuzinës luksoze elektrike të Mercedes – me vetëm një mbushje të baterisë përshkon 770 kilometra

Mercedes ka filluar të pranojë porositë për limuzinën elektrike EQS, që gjatë pranverës iu prezantua botës.

Në Gjermani kjo limuzinë luksoze që është një veturë elektrike shitet me një çmim fillestar prej 106.374 euro, EQS 450+ me 333 kuaj-fuqi që bën tërheqje me rrotat e pasme.

Sipas të dhënave nga fabrika e Mercedes, kjo veturë shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 6.2 sekonda, derisa shpejtësia maksimale është e kufizuar në 210 kilometra në orë, transmeton Telegrafi.

E ata që nuk janë të kënaqur me këto performanca, mund ta zgjedhin EQS 580 4MATIC me dy elektromotorë që në mënyrë të kombinuar prodhojnë 534 kuaj-fuqi.

Kjo veturë bën tërheqje me të katër rrotat, e shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 4.1 sekonda, dhe ka shpejtësi të njëjtë maksimale sikurse varianti më i dobët. Ky version ka një çmim fillestar prej 135.529 euro.

Kujtojmë që të dy variantet ruajnë energjinë elektrike në baterinë me kapacitet prej 107.8 kWh, pavarësisht që Mercedes ka paralajmëruar se më vonë do të jetë e qasshme edhe bateria më e vogël prej 90 kWh.

E sipas prodhuesit gjerman, EQS do të jetë kampion në modelet elektrike, kur është fjala për autonominë me një rreze prej 770 kilometra me vetëm një mbushje të baterisë. /Telegrafi/

Exit mobile version