Site icon Telegrafi

Zbulohen fjalët që Pique ia tha gjyqtarit Manzano – me çka edhe pasoi kartoni i kuq

Ndeshja e fundit e Gerard Piques në La Liga do të lërë një imazh për t’u mbajtur mend. Qendërmbrojtësi nuk ngurroi për asnjë sekondë të hidhej në fushën e blertë në pjesën e parë për të qortuar Gil Manzanon për përjashtimin e Robert Lewandowskit dhe ndoshta edhe faullin e mundshëm ndaj Marcos Alonso. Dhe lojtari përfundoi duke u përjashtuar. Në pjesën e dytë ai nuk mund të ulej më në stol.

Arbitri nuk ka dashur të hyjë në dialog me lojtarin e Barcelonës, por Pique e ka ndjekur duke e thirrur në tunelin e dhomës së zhveshjes. Ndodh që nuk është hera e parë që katalanasi përballet me të njëjtin arbitër.

Çuditërisht, në ndeshjen kundër Real Madridit në prill 2021, Gerard Pique zbriti në fushë për të qortuar Gil Manzanon që nuk kishte shtuar më shumë minuta shtesë. Me atë rast, qendërmbrojtësi nuk arriti të luajë asnjë minutë, por nuk hezitoi të kërkojë shpjegime nga gjyqtari.

Manzano i ka mbledhur në procesverbal arsyet e përjashtimit të qendërmbrojtësit. “E pe çfarë penalltie ke dhënë? Ti je arbitri që na ka dëmtuar më së shumti. Është turp i ndyrë!”, ka shkruar arbitri, derisa ka shkruar që është sharë edhe me nënë nga spanjolli.

Nuk duhet harruar që këtë të martë Pique luajti ndeshjen e fundit në La Liga. Qendërmbrojtësi njoftoi tashmë të enjten e javës së kaluar se ai do pensionohet. Të shtunën ai i tha lamtumirë nga “Camp Nou” si lojtar.

Për më tepër, Pique ka hyrë në histori si lojtari i Barcelonës, i cili ka marrë më së shumti përjashtime në karrierë në të gjitha garat. /Telegrafi/

Exit mobile version