Site icon Telegrafi

Zbulohen detaje të reja për grabitjen në Rinas

Grupi hetimor i ngritur për grabitjen spektakolare të gati një milion eurove në Aeroportin e Rinasit, dyshon se numri i autorëve mund të jetë më shumë se tre.

Hetuesit dyshojnë se pas djegies së “Benzit” me të cilin u realizua vjedhja, autorët janë pritur nga një person tjetër i cili i ka ndihmuar për t’u larguar me një tjetër automjet.

Po ashtu ka dyshime se pranë kargos mund të ketë qëndruar një tjetër person i cili ka sinjalizuar futjen e blindit me para drejt pistës së avionëve duke sinkronizuar në këtë mënyrë grabitjen e paprecedentë.

Ndërkohë pranë vendit ku u dogj automjeti i vjedhur në Pogradec, policia ka gjetur një paruke që dyshohet se është hedhur nga autorët. Ajo është dërguar për ekzaminime në laboratorin shkencor të policisë. Po ashtu uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve në rrugën që kanë përshkruar autorët deri në djegien e makinës.

Ndonëse nuk ka asnjë person të dyshuar, policia po mban në vëzhgim disa individë të skeduar dhe të njohur si kontingjent kriminal. Duke qenë se grabitja në aeroportin e Rinasit cilësohet si cenim i sigurisë kombëtare, mësohet se ndihmë në hetime po jep edhe shërbimi informativ shtetëror.

Ndërkohë, paraditen e së hënës pritet të dalin para gjykatës së Krujës për caktimin e masës së sigurisë edhe pesë personat e ndaluar.

Ata do të njihen zyrtarisht me akuzën e shpërdorimit të detyrës ndërsa prokuroria pritet të kërkojë masën e sigurimit personal arrest me burg. /Top Channel/

Exit mobile version