Telegrafi

Zbulohen datat e netëve finale të festivalit “Kënga Magjike 2018”

Festivali më i madh në Shqipëri, “Kënga Magjike” është gati për edicionin e tij të 20-të.

Tashmë faza e parë e prezantimit të artistëve në spektaklin “E Diela Shqiptare” ka përfunduar, dhe gjithçka është gati për netët ‘live’.

Së fundmi, përmes një njoftimi të bërë në rrjetin social Instagram, festivali njoftoi gjithashtu se datat për netët e finale janë 5 dhe 6 dhjetor (gjysmëfinalet), dhe finalja e madhe më datë 8 dhjetor.

Madje, për herë të parë këtë vit, “Kënga Magjike” njoftoi edhe se ka risi në transmetim, ngase shikuesit do të kenë mundësinë ta ndjekin edhe ‘livestream’.

“Kete 20 Vjetor festivali “Kenga Magjike” sjell nje risi teknologjike. Per here te pare ne Shqiperi Livestream ne VR. Mund te perjetoni emocionet e skenes edhe nga shtepia nepermjet realitetit virtual. Ne kengamagjike.com ne tvklan.al dhe ne welcomealbania.com! Kenga Magjike po afron”, thuhet në njoftimin e festivalit.

Shumë këngë janë prezantuar edhe këtë vit në festival, ku ndër më të pëlqyerat nga publiku duket të jenë ajo e Fifit me MC Kreshën, Ardit Çunit me Daniela Toçin, Kanita Sumës, Ronela Hajatit e shumë të tjerëve.

Si çdo vit tjetër, fituesin e përcaktojnë vetë artistët me votat e tyre, të cilat bëhen krejtësisht të ditura në natën finale të festivalit. /Telegrafi/