Site icon Telegrafi

Zbulohen armë e municion në Corroticë të Preshevës

Banorët theksuan se janë të shqetësuar nga ky rast dhe se frikësohen nga ndonjë tentim tjetër për t`ia mveshur fshatit nga autoritetet policore. Ata theksojnë se armët dhe municione mund të jenë nga periudha e përfundimit të konfliktit dhe demobilizimit të UÇPMB-së.

Armatimi është gjetur i fshehur në një pus në afërsi të fshatit Corroticë, ndërsa siç bëhet e ditur në një kumtesë të policisë serbe, aty u gjetën: shtatë pushkë gjysmë-automatike të prodhimit kinez, shtatë bomba dore, 517 fishekë dhe armë dhe municione të tjera.

Policia serbe theksoi se nuk ka informacione se si është fshehur armatimi, i cili ishte lëshuar në pusin e thellë tri metrash, ndërsa i gjithë armatimi ishte mbështjellë me një mbulojë plastike, dhe, sipas tyre, armët ishin funksionale dhe se tek ato ishin shënuar edhe emra personash.

Në një kumtesë të policisë serbe nën shenjën “Hitno” (Urgjent), kumtohet se pas një aksioni mirë të koordinuar të pjesëtarëve të inteligjencës serbe dhe atyre të njësive operative të policisë dhe xhandarmërisë serbe, në orët e mbrëmjes është zbuluar një sasi e konsiderueshme e armatimit. Në kumtesë nuk jepen detaje nëse ky armatim është pjesë e ndonjë organizate, apo nëse me këtë rast ka persona të arrestuar.

Organet e Punëve të Brendshme të Serbisë, në komunikatë kanë paralajmëruar hetime rreth “pronarëve” të kësaj sasie armatimi.

Ky është aksioni i parë pas mbi dy vjetësh i ndërmarrë në kërkim të armatimit të fshehur nga forcat serbe të sigurisë.

Pas njoftimit të policisë së Vranjës, rreth gjetjes së një sasie armatimi në fshatin Corroticë të Preshevës, ka reaguar të enjten, prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili konsideron se ky armatim i gjetur i takon kohës para dhjetë vjetësh, kur edhe ka përfunduar konflikti i armatosur në Luginë të Preshevës.

“Kemi kaluar nëpër sfida serioze ndëretnike dhe neve nuk na nevojitet asfare incidenti, prandaj konsideroj se armatimi dhe mjetet ushtarake të gjetura në Corroticë i takojnë kohës kur në këtë rajon kishte konflikte të armatosura”, ka theksuar Mustafa.

“Për çdo rast, ky veprim mund të jetë nga koha e shkuar dhe mund të dëmtojë kërkimin e një kompromisi në dialogun aktual ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe ne, shqiptarët në Luginë të Preshevës, nuk dëshirojmë të jemi dëm koletaral”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se “incidentet nuk i shërbejnë askujt./Koha//Telegrafi/
 

Exit mobile version