Gjatë 16 aksioneve që ka kryer policia në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, në nëntë muajt e parë të këtij viti janë zbuluar 44 shtetase të huaja që kanë qëndruar në mënyrë ilegale në Maqedoni.
Zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski tha se 22 prej tyre kanë qenë shtetesa të Shqipërisë, 16 të Serbisë, 5 nga Kosova dhe 1 nga Bullgaria. Krahas tyre janë zbuluar edhe 30 shtetase të Maqedonisë.
“Pas zbulimit të tyre, arrestimit dhe mbajtjes në SPB Tetovë, ata janë dorëzuar te Sektori për kriminal tejkufiktar, migracion, shtetas të huaj dhe më pas janë nxjerrë para gjykatësit në Gjykatat themelore në Tetovë dhe Gostivar. Me gjoba përkatëse dhe ndalesa për hyrje në Maqedoni, nga një deri më pesë vite, shtetaset e huaja të paparaqitura janë dëbuar drejt vendeve të tyre”, tha Josifovski.
Shtetaset e huaja kanë punuar më së shumti si këngëtare dhe vallëzuese në objekte hoteliere./Telegrafi/