Telegrafi

Zbulohen 350 kg drogë në kamionin që transportonte dyshekë

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave të Maqedonisë, gjatë aksionit të djeshëm ka ndaluar drogën, që ishte ngarkuar në Shqipëri dhe përmes Maqedonisë, destinacionin final e kishte tregun e zi në Holandë.

“Dhjetëra dyshekë ishin përpunuar në mënyrë speciale dhe ishin të mbushur me marihuanë. Ky është rast i parë që droga të fshihet në materiale të tilla”, deklaroi ministrja e brendshme, Gordana Jankulovska.

Në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar shtatë shtetas të Maqedonisë, në mesin e të ndaluarëve janë dy veta nga Veleshta e Strugës, dy shoferë nga Manastiri për transportin e drogës si dhe persona të tjerë.

Droga u zbulua mbrëmë rreth orës 21.00, kur kamioni i ngarkuar me drogën kishte mbërritur për të kaluar kufirin në pikën kufitare Mexhitli midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Dyshimet janë edhe për rrjetin e trafikantëve shqiptarë nga Shqipëria. Pesë nga shtetasit e Maqedonisë janë arrestuar, ndërsa të tjerë janë në arrati. Droga e konfiskuar në tregun e zi kap një shifër prej milion euro. /Telegrafi/