Hulumtimi më i ri i Universitetit Edith Cowan (ECU) ka zbuluar që trajnimi i njërës dorë mund të përmirësojë forcën dhe të zvogëlojë humbjen e muskujve të dorës tjetër – madje pa e lëvizur
Rezultatet e studimit do të mund të ndihmojnë në zgjidhjen e humbjes së masës dhe forcës në dorën e palëvizshme, siç është rasti pas lëndimit, madje me praktikimin e ushtrimeve ekscentrike në dorën tjetër.
Profesori i ECU Ken Nosaka nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore dhe Shëndetësore mori pjesë në një studim ndërkombëtar, pas të cilit zbuloi se gjetjet ishin në kundërshtim me metodat konvencionale të rehabilitimit dhe se ato mund të përmirësonin rezultatet tek pacientët pas dëmtimit fizik dhe goditjes në tru, transmeton Telegrafi.
– Mendoj që kjo do të mund të ndryshojë mënyrën me të cilën i qasemi rehabilitimit të njerëzve të cilët përkohësisht janë të pamundësuar të përdorin njërën dorë apo këmbë.
Nëse menjëherë fillojmë rehabilitimin dhe ushtrimin e gjymtyrës së dëmtuar, mund të parandalojmë dëmtimin e muskujve për shkak të dëmtimit sportiv të gjymtyrës tjetër, dhe gjithashtu ta forcojmë atë, pa e lëvizur, ka thënë Profesor Nasaka.
Efekti në gjymtyrën tjetër
Hulumtimi ka përfshirë 30 pjesëmarrës të cilëve njëra dorë u është bërë e palëvizshme së paku tetë orë në ditë në kohëzgjatje prej katër javësh.
Ata janë ndarë në tri grupe, nga të cilët njëri grup nuk ka bërë ushtrime, i dyti ka bërë kombinimin ekscentrik dhe koncentrik, ndërkaq të tjerët kanë bërë vetëm ushtrime ekscentrike.
Profesor Nosaka ka thënë që grupi i cili me ndihmën e peshave të dorës ka bërë vetëm ushtrime ekscentrike në dorën aktive ka treguar rritje të forcës dhe zvogëlim të atrofimit të muskujve apo humbjes së masës në dorën e palëvizur.
– Pjesëmarrësit të cilët kanë bërë ushtrime ekscentrike kanë pasur rritje më të lartë të forcës në të dyja duart, kështu që është krijuar një efekt shumë i fuqishëm i transferimit – përfundoi Nosaka.
Ky grup regjistroi vetëm dy për qind të humbjes së muskujve në krahun e palëvizshëm, krahasuar me ata që nuk ushtruan dhe që humbën deri në 28 për qind të masës muskulore.
E ardhmja e rehabilitimit
Profesori Nosaka shtoi se ai planifikon të zgjerojë kërkimet për muskujt e tjerë të krahut dhe lëvizjet e tjera.
– Në këtë studim, ne u përqendruam në përkulësit e bërrylit, sepse ky muskul shpesh përdoret si model për të shqyrtuar efektet e imobilizimit në fuqinë dhe madhësinë e muskujve, dhe ky është gjithashtu një muskul i rëndësishëm për lëvizjet e krahut.
– Shpresojmë që në të ardhmen të shqyrtojmë se si ushtrimet ekscentrike mund të ndihmojnë në përmirësimin e funksionit motorik, lëvizjen dhe kontrollin e muskujve të imët, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me goditje në tru dhe ata që janë në proces të rehabilitimit – shpjegoi Nosaka. /Telegrafi/