Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të larguar një kamerë ilegale, e cila ishte vendosur në mënyrë të fshehtë në një shtyllë elektrike në Leposaviq.
Kamera ishte e maskuar brenda një kutie metalike dhe kishte për qëllim monitorimin e lëvizjeve në një udhëkryq strategjik, duke transmetuar pamjet drejtpërdrejt në Serbi.
Lidhur me këtë çështje, Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus ka reaguar, duke theksuar se ky zbulim tregon për përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes mjeteve hibride.
Sipas Kuçit, pajisje të tilla janë përdorur për mbledhjen e informacioneve të cilat mund të shërbejnë për planifikimin e akteve destabilizuese, si sulmet në Zveçan dhe ndërhyrjet në strukturat vitale të vendit.
Kuçi ka analizuar situatën duke përmendur disa faktorë që ndikojnë në veprimet e fundit të Serbisë:
Dobësimi i strukturave paralele: Rritja e kontrollit nga institucionet e Kosovës po detyron Serbinë të kalojë në forma më të fshehta të ndërhyrjes.
Kriza e brendshme në Serbi: Protestat kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit dhe presioni politik e ekonomik po e shtyjnë regjimin të kërkojë mënyra për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme.
Goditja ekonomike: Sanksionet e SHBA-së ndaj industrisë serbe të naftës, e lidhur me Rusinë, po thellojnë krizën ekonomike në Serbi.
Kuçi theksoi se intensifikimi i përpjekjeve për destabilizim rajonal nga Serbia është një përpjekje për të ruajtur regjimin aktual dhe për të shpërqendruar vëmendjen e qytetarëve të saj nga problemet e brendshme.
Ky veprim i institucioneve të sigurisë në Kosovë shënon një hap të rëndësishëm në ndalimin e përpjekjeve për destabilizim dhe në forcimin e sovranitetit të vendit.
Ekspertët vlerësojnë se ndalja e ndërhyrjeve të tilla jo vetëm që dobëson regjimin e Vuçiqit, por gjithashtu krijon kushte për një rajon më të qëndrueshëm dhe të sigurt./Telegrafi/