Site icon Telegrafi

Zbulimi arkeologjik në Tepelenë i përket shekujve III-II p.e.s.

Zbulimi arkeologjik në Turan të Tepelenës, i përket shekullit III- II p.e.s. Konstatimi është bërë pas vëzhgimit në terren t varrit të vjetër, nga specialisti i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë, Maringlen Meshini.

“Kemi të bëjmë me një gjetje rastësore që ka ardhur si pasojë e punimeve bujqësore. Bëhet fjalë për një varr që nisur nga konstruksioni që ka, mund të themi se mund të jetë i shek III-II para lindjes së Krishtit”, shprehet Meshini.

Arkeologu shton se materialet e gjetjet brenda në varr, si qeramike dhe disa monedha, do t’i ndihmojnë për të vërtetuar nëse varri i përket apo jo periudhës helenistike.

Varri u zbulua para disa muajsh nga Nuro Kuçi, banor i Turanit, i cili ishte duke punuar tokën me traktor.

“Pllakën mbi varr e gjeta kur isha duke punuar tokën. Thonë se kanë gjetur edhe varre të tjerë, sikundër gjeta edhe unë. Në të kishte disa monedha bronzi, një kandil qeramike, disa enë ceremoniale, një qyp me ujë dhe një me vers të mbyllur hermetikisht”, shprehet Kuçi. /Shqiptarja/

Exit mobile version