Site icon Telegrafi

“Zbritja në Ferr” sipas mjeshtër Kostandinit

Ikona “Zbritja në ferr”, e piktorit Kostandini, dekoronte ikonostasin e kishës “Burimi Jetëdhënës” dhe bën pjesë në ciklin e dodekaortonit.

Në këtë ikonë që ruhet në fondin e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, paraqitet Krishti i cili zbret triumfues në Ferr. Krishti paraqitet në qendër të kompozimit dhe shkel mbi portat e Ferrit të cilat i ka shpërthyer.

Ai ngre nga vdekja Adamin dhe Evën të cilët paraqiten në një sarkofag antik. Në dorën e majtë ai mban një skeptër. Nga kryqi i fitores nga prapa duket një copë e kuqe dhe prapa Krishtit në lavdi shfaqet ushtria e engjëjve duke mbajtur shigjeta.

Në anën e majtë të Krishtit paraqitet Johan Pagëzori, i cili bën një përkulje gjithë nderim dhe pas tij paraqiten profetë, mbretër, si dhe grupi i të drejtëve.

Poshtë dyerve të thyera në Ferr është pikturuar Satanai, zjarri dhe zinxhirët, me të cilët ishin lidhur dy sarkofagët.

Në zonën e sipërme të ikonës janë paraqitur shkëmbinj në një reliev tepër të thyer që përbën mjedisin ku zhvillohet skena. Në këtë ikonë piktori Konstandin nga Korça shkruan vetëm vitin në të cilin e ka pikturuar ikonën 1770. /ata/

 

 

Exit mobile version