Telegrafi

Zbërthehet edhe një sekret i Putinit: Valltarja e akrobacioneve, është vajza e dytë e liderit rus (Foto/Video)

Një koleg i vallëzimit i Katerina Tikhonovas, që merret me akrobacione, ka konfirmuar se kjo vajzë është e bija e liderit rus Vladimir Putin, shkruan Reuters.

Ky konfirmim vjen nga zyrtari i Konfederatës Botërore të Rock n’ Roll-it (WRRC) dhe atë dy vite pasi ishte përhapur lajmi i parë për këtë vajzë, transmeton Telegrafi.

Manfred Mohab, president i kësaj Konfederat është pyetur nga Reutersi nëse Tikhonova është e bija e Putinit, por përgjigja e tij ishte fare e thjeshtë: “Po, e njoh atë vajzë” duke u munduar ta shmangte pyetjen. Ndërkaq, pas insistimit të gazetarit që t’i përgjigjet pyetjes, ka thënë “po”.

Por, kësaj pyetje të Reutersit nuk i është përgjigjur edhe Tikhonova e as Kremlini zyrtar.

Andrei Akimov, zëvendësdrejtor i bordit të drejtorëve “Gasprombanka”, pati deklaruar në vitin 2015 se Tikhonova është vajza e Putinit, por më vonë e kishte demantuar veten. Reuters e kishte konfirmuar këtë lajm asokohe edhe nga dy burime që kanë dashur të mbesin anonime. Ndërkaq zyrtarë të “Gasprombanka” kanë deklaruar se janë të “befasuar dhe habitur” me deklaratat e Akimovit.

Dihet se Putini, ish-agjent i KGB-së, preferon që jetën e tij private, përfshirë dy vajzat Katarina dhe Maria, t’i mbaj sa më larg opinionit.

Mohab është zyrtari i parë pas Akimovit, i cili publikisht ka konfirmuar se bëhet fjalë për vajzën e njeriut të parë të Rusisë.

Tikhonova, që përdor mbiemrin e gjyshes së saj, udhëheq projekte të ndryshme që financohen në nivel shtetëror dhe njëherit është nënkryetare e WRRC-së.

Vajza e Putinit i ka 31 vite dhe është e martuar me Kiril Shamalovin, djalin e vetëm të njërit prej miqve të ngushtë të Putinit. /Telegrafi/