Site icon Telegrafi

Zbehja e turneut të madh, në vend të 60 boksierëve morën pjesë 22

Por, në ringun e ngritur në palestrën "Karagaçi" të Pejës ku për dy ditë, më 28 dhe 29 nëntor u zhvillua turneu më i madh në vend i boksit, boksuan vetëm 22 boksierë që vinin nga nëntë shtete.

Zyrtarët e Federatës së Boksit e Kosovës (FBOXK), në konferencën e fundit para turneut kushtuar komandantit legjendar, thanë se në gjysmëfinale, të shtunën, do të zhvillohen 16 meçe, kurse në finale, të dielën, 13 meçe tjera, shkruan sot Koha Ditore. Ndodhi pak më ndryshe. Në gjysmëfinale u zhvilluan vetëm pesë meçe, kurse në finale nëntë.

Në mungesë të boksierëve, në finale u paraqitën edhe boksierë që ishin mposhtur në gjysmëfinale, praktikë jo shumë e zakonshme kjo.

Gati të gjithë boksierët pjesëmarrës ishin shqiptarë. Organizatori tha se ata prezantojnë shtetet ku jetojnë. Në turne pati boksierë nga Kosova, Shqipëria, Suedia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Zvicra, Gjermania e Sllovenia.

Pjesëmarrjen me 12 boksierë, siç njoftojnë në FBOX, e kishte konfirmuar edhe Bullgaria. Por bullgarët nuk kanë mundur të udhëtojnë shkaku i bllokimit të rrugëve për shkak të borës, është arsyetimi i zyrtarëve të FBOXK. Ishte paralajmëruar se edhe Hungaria do të dërgojë boksierë, por në vend të hungarezëve numri i shteteve është plotësuar me një boksier shqiptar që "prezantoi" Zvicrën.

Kosova mori pjesë me shtatë boksierë, me gjashtë boksierë ishte Shqipëria, nga dy i patën Mali i Zi e Maqedonia, ndërsa nga një Suedia, Gjermania, Kroacia, Zvicra e Sllovenia.

"Kanë marrë pjesë 28 boksierë nga nëntë shtete. Nuk është rënie e numrit. Ka pasur më shumë shtete dhe më pak boksierë se vitin e kaluar", ka thënë të hënën zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.
 

Exit mobile version