Site icon Telegrafi

Zbatimi i reformave në Maqedoni: Ndryshime rrënjësore në gjyqësor, siguri

Praktikimi i metodave të reja dhe jo vetëm ndryshimet ligjore, janë imperativ i cili duhet të shikohet me vëmendje nga përbërja e re qeveritare, kurdo që të formohet ajo, thonë për “TVM2” ekspertët e fushës juridike, Gordan Kallajxhiev dhe Miralem Asani.

Sipas tyre, ekipet kryesore të dikastereve kyçe për procesin negociator me BE-në, që janë në përgatitje e sipër të dy kapitujve kryesorë të reformave në drejtësi duhet t’i rreken punës në koordinim me institucionet e shtetit.

Reformat duhet të jetësohen në praktikë duke filluar nga funksionimi i gjyqësorit, prokurorisë si dhe policisë, thotë avokati dhe ish prokurori, Miralem Asani.

“Unë mendoj se reformat në drejtësi duhet të bëhen jo vetëm në gjykata, por të përshihet edhe prokuroria bashkë me policinë. Kjo reformë është ndër reformat më të rënda do të kisha thënë meqë këtu kemi tre organe të cilat duhen të reformohen dhe të zhvishen nga ai petku i mëhershëm, si nga aspekti nacional, si nga aspekti i veprimit, si nga aspekti i ndjenjës së të udhëhequrit me atë organ.”,- tha eksperti juridik, Miralem Asani.

Reformat në sferën e jurisprudencës dhe në aspektin e sigurisë janë ndër kapitujt e parë që do t’i hapë vendi gjatë negociatave të para me BE-në. Duhet ndryshuar qasja ndaj reformave dhe kjo arrihet vetëm nëse ndërpriten kuazi reformat, të cilat deri më tani kanë funksionuar.

“Kush do ta marrë resorin e drejtësisë, besoj edhe resorin e punëve të brendshme do të ketë detyrë serioze dhe patjetër që partitë duhet të kuptojnë që në këtë resor situatë është problematikë në mënyrë sistematike dhe duhet të punohet një kohë më të gjatë me metoda më të reja dhe jo vetëm me kvazi reforma të ligjeve që tani më janë mjaft të mira. Thjesht qasja duhet të ndryshohet, nuk bëhen reforma në këto sektorë brenda ditës.”,– u shpreh profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.

Seanca e parë ndërqeveritare me BE-në mund të organizohet deri në fund të vitit 2020. Paraprakisht, BE dhe vendet anëtare caktojnë kornizën negociuese për hapjen e negociatave me RMV-së. Pas mbajtjes së seancave ndërqeveritare fillohen negociatat me një kapitull, duke hyrë kështu në një fazë të re bisedimesh.

Exit mobile version