Site icon Telegrafi

Zbatimi i masave anti-COVID-19, shqiptohen rreth 30 gjoba për biznese

Rreth 700 inspektime janë bërë që nga e hëna, prej kur është vendosur për masa të reja dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka shqiptuar rreth 30 gjoba për bizneset, kryesisht sektorin e gastronomisë.

Ky institucion bashkë me Policinë e Kosovës janë dy nga autoritet kryesore për mbikëqyrjen e zbatimit të masave antiCOVID. Shkeljet më të madha të këtyre masave janë mos-respektimi i orës së lëvizjes dhe distancës sociale.

Kështu bën të ditur për KosovaPress zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, i cili shton se ka pasur raste edhe të mbylljes së lokaleve.

“Bazuar në vendimin e fundit që ka hyrë dy ditë më parë në fuqi, atëherë ne kemi realizuar rreth 700 inspektime. Dhe prej tyre kanë rezultuar që është dashur të shqiptohen rreth 30 gjoba për subjekte juridike, kryesisht lokale të gastronomisë. Po ashtu, ne kemi shqiptuar edhe masa më të ashpra ndëshkimore, duke përdorur edhe masën e mbylljes për raste recidiviste për ata që nuk kanë respektuar vendimet e qeverisë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës më 18 prill ka marrë vendim për masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, me të cilat kufizohet qarkullimi i qytetarëve dhe puna e gastronomisë nga ora 22:30 deri në 05:00. Thaçi tregon se cilat janë regjionet me më së shumti gjoba.

“Ne nuk mund t’i ndajmë me regjione, ka disa regjione që kemi pasur probleme më shumë. Por, aty kemi ndërhyrë edhe me ekipe shtesë të inspektorëve. Duke dërguar ekipe edhe prej regjioneve të tjera. Por, në përgjithësi, niveli i respektimit të masave është i njëjtë”, tha Thaçi.

Zëdhënësi i AUV-it thekson se inspektime po kryhen edhe në Qendra të Mjekësisë Familjare, disa spitale regjionale dhe kryesisht edhe tek institucionet shkollore.

“Respektimi i masave në masë të përgjithshme është i mirë. Kryesisht institucionet kanë krijuar kushtet për parandalimin dhe luftimin e sëmundje COVID-19”, tha Thaçi.

Për tre muajt e parë të këtij viti, KosovaPress mëson se janë kryer mbi 31 mijë inspektime, ku janë shqiptuar 715 gjoba juridike dhe 764 gjoba fizike. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19 në territorin e Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

Exit mobile version