Site icon Telegrafi

Zbardhet vendimi i shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë

Qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga vendimi për të shembur godinën ekzistuese të Teatrit Kombëtar, së për të ngritur në vend të saj një të re, me shumë gjasë shoqëruar edhe nga ca ndërtime të tjera.

Dy muaj më parë, Qeveria ka marrë vendimin për ngritjen e një komisioni që do të vlerësojë negocimin e kontratës me palën private, që do të realizojë projektin e zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar. Ky vendim u botua në Fletoren Zyrtare dy muaj pas marrjes së tij, çka do të thotë se ai tanimë ka hyrë në fuqi.

Sipas vendimit në fjalë, qëllimi i tij është krijimi i komisionit për realizimin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur. Po ashtu, ka për qëllim, përcaktimin e kritereve kualifikuese e vlerësuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe të godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Është e qartë se qeveria nuk është tërhequr nga projekti për shembjen e godinës 80-vjeçare të TK-së, por, nga ana tjetër, i është përgjigjur kërkesës së bërë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Tiranë, që projekti për godinën e re të TK-së të dilte nga një garë e hapur dhe transparente, duke i hapur udhën edhe firmave të tjera private të paraqesin variantet e tyre dhe jo vetëm firma “Fusha” sh.p.k.

Sipas këtij vendimi, “Kryetari i Bashkisë Tiranë ngarkohet me cilësinë e autoritetit kontraktor që të krijojë komisionin për ndjekjen e procedurave për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për vlerësimin, përzgjedhjen, negocimin dhe lidhjen e kontratës me palën private”. Brenda pesë ditëve ministrat e Kulturës, Financave dhe Ekonomisë dërgojnë pranë Bashkisë së Tiranës emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision, i cili duhet të mblidhet brenda pesë ditëve nga dërgimi i emrave.

Ndërsa çdo institucion apo ent shtetëror, sipas kërkesës së komisionit, është i detyruar që brenda tri ditëve të vendosë në dispozicion të tij ekspertizën e kërkuar, nëpërmjet dërgimit të ekspertëve apo dhënien e saj me shkrim. Vendimi jep disa detaje për kriteret vlerësuese që duhet të plotësojnë palët private, si ato teknike, ekonomike etj. /Panorama/

Exit mobile version