Site icon Telegrafi

Zbardhet pasuria e zyrtares së lartë në Shqipëri, paratë e vjedhura nga pastruesja nuk janë të deklaruara

Paratë dhe sendet me vlerë të cilat iu vodhën Alda Klosit, zyrtares së lartë në Shqipëri nuk rezultojnë të deklaruara në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive.

Në deklaratën e fundit të bërë në gusht të vitit 2022, ish-drejtoresha e ministrisë së Rindërtimit, të cilës iu vodhën rreth 400 mijë euro nga pastruesja, nuk ka shënuar lekë cash që t’i ketë tërhequr nga llogari bankare apo nga burime të tjera.

Zyrtarja që rezulton sot me 5 banesa dhe dy troje në Tiranë dhe Lezhë, ka deklaruar në vitin 2017 blerjen e një apartamenti 72 m2 në kryeqytet me vlerë 31.400 euro. Burimi financiar për blerjen e këtij apartamenti, vjen nga një kredi e marrë në çift me bashkëshortin e saj, raporton Euronews Albania.

Mes pasurive të deklaruara janë dhe të ardhurat 30 mijë lekë në muaj, nga qiraja e një ambienti. Pavarësisht kredive të marra dhe borxheve të deklaruara, Alda dhe Altin Klosi dalin pronarë në 2021 me kontrata dhurimi të dy apartamenteve në plazhin e Shëngjinit të Lezhës.

Gjithashtu, dy troje të familjes Ciko, ku pronare është dhe Alda Klosi, i janë dhënë për ndërtim kompanisë “2B Construction Grup”.

Në llogaritë bankare të Klosit, në bilancet nga puna, në vitin 2016, Klosi ka deklaruar një pagë mujore prej 180 mijë lekësh, si Drejtoreshë pranë Ministrisë së Financave dhe të ardhura të përafërta nga puna si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës i Shoqërisë Financiare FAF dhe Bordit të Çështjeve të Mira. /Telegrafi/

Exit mobile version