Telegrafi

Zbardhet fati i gjeneralit rus që u raportua i zhdukur – i cili ‘kishte mbajtur anën e shefit të Wagner’ gjatë kryengritjes në Rusi

Gjeneralkoloneli Sergei Surovikin – i cili është komandanti i dytë i ushtrisë ruse – është arrestuar, sipas një raporti të medias ruse.

Dy burime pranë Ministrisë ruse të Mbrojtjes i thanë The Moscow Times për arrestimin – edhe pse nuk është bërë e ditur zyrtarisht, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

Një burim tha se Surovikin kishte zgjedhur anën e shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin gjatë rebelimit dhe për këtë arsye ai ishte arrestuar.

Të pyetur se ku ndodhet tani gjenerali, ata thanë: “Ne as që e komentojmë këtë informacion përmes kanaleve të brendshme”.

Blogerët ushtarakë rusë kishin publikuar më parë thashetheme për arrestimin e Surovikin, i cili nuk është parë që nga e shtuna.

Lexo po ashtu Një raport i WSJ zbulon se çfarë donte të arrinte shefi i Wagner me kryengritjen në Rusi

Lajmi vjen pasi gjenerali i lartë rus, i cili thuhet se kishte njohuri të avancuara për rebelimin e mercenarëve të Wagner, nuk është parë që nga shpërthimi i kryengritjes së armatosur të shtunën.

Siç është thënë më herët, Sergei “Armageddon” Surovikin është komandanti i dytë i ushtrisë ruse dhe ka njohur lidhje me shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Ai u zëvendësua si komandant i lartë në fillim të këtij viti, por ruajti ndikimin në drejtimin e operacioneve të luftës.

Inteligjenca amerikane kishte thënë më parë se Surovikin dinte për planet e Prigozhin për t’u rebeluar kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë, sipas New York Times.

Ndryshe, para nisjes së kryengritjes, Prigozhin ishte shprehur i nervozuar kundër Sergei Shoigu, ministrit rus të mbrojtjes, dhe Valery Gerasimov, shefit të shtabit të përgjithshëm, duke i fajësuar ata për dështimet në Ukrainë dhe mungesën e mbështetjes së ushtrisë për luftëtarët Wagner. /Telegrafi/