Site icon Telegrafi

Zbardhet axhenda, ja pse shkon Lulzim Basha në SHBA

- Lulzim Basha (Minister of Foreign Affairs, Albania)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është nisur në një vizitë zyrtare për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në krah të kreut të opozitës në takimet që do të zhvillojë në SHBA do të jenë edhe deputetët Eduard Selami, Jorida Tabaku dhe Gent Strazimiri.

Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD-së, Jorida Tabaku, është e vetmja nga deputetët që mori pjesë në takimin e zhvilluar në Tiranë me Sekretarin amerikan, John Kerry, të cilën Basha e ka përfshirë edhe në delegacionin e tij në SHBA. Pjesë e atij takimi ishte edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Londër, Mal Berisha, i cili pas lënies së detyrës ka marrë funksionin e këshilltarit për Politikën e Jashtme të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.

Në këtë delegacion, Basha ka përfshirë edhe një nga deputetët kritikë në mbledhjet e Grupit Parlamentar, Eduard Selamin. Ndonëse nuk ka një axhendë zyrtare të shpërndarë nga zyra e shtypit të Partisë Demokratike lidhur me takimet që Basha do të zhvillojë në SHBA, burime nga selia blu sqarojnë se janë planifikuar takime me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe kongresmenë amerikanë. “Panorama” shkruan se gjatë këtyre takimeve, kreu i PD-së pritet të theksojë problematikën shqetësuese me çështjen e dekriminalizimit në Parlament. Gjithashtu, takime kreu i PD-së ka planifikuar të zhvillojë edhe me grupin e miqësisë SHBA- Shqipëri. Takimi do të jetë në kuadër të 25- vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Exit mobile version