Janë publikuar dokumente që akuzojnë ish-peshkopin e Essenit dhe një nga teologët më të famshëm të Gjermanisë së pasluftës, kardinalin Franz Hengsbach, për abuzim seksual me të mitur.
“Peshkopi Franz-Josef Overbeck ka urdhëruar një hetim të detajuar mbi akuzat serioze për abuzim kundër peshkopit të parë të Dioqezës së Essenit, Franz Hengsbach, në periudhën nga vitet 1950 deri në vitet 1970”, njoftoi Dioqeza e Essenit.
Një hetim i brendshëm filloi pasi një person kontaktoi dioqezën në tetor të vitit të kaluar duke pretenduar se peshkopi Hengsbach kishte abuzuar seksualisht me të në fund të viteve gjashtëdhjetë.
Pas një kontrolli në dioqezën e Paderbornit, ku Hengsbach, i cili vdiq në vitin 1991, ishte aktiv para se të vinte në Essen, u mësua se ai ishte denoncuar atje në vitin 2011 për abuzim seksual me një të mitur në vitet 1950, raporton taz.de.
Ai rast, siç u tha, u raportua në Kongregacionin për Doktrinën e Besimit në Vatikan në të njëjtin vit, i cili i hodhi poshtë akuzat si të pabaza.
Sipas informacioneve nga dioqeza e Paderbornit, ka raportime për abuzim seksual të një të mituri ndaj vëllait të peshkopit Hengsbach, Paul, i cili është gjithashtu prift.
Peshkopi aktual, Overbeck u bëri thirrje viktimave të tjera të mundshme të abuzimit që ta raportojnë atë në dioqezë.
Vitet e fundit, priftërinjtë e Kishës Katolike Gjermane janë vënë nën sulmin e shumë akuzave për abuzim seksual të të miturve. Këto skandale shkaktuan edhe largime të shumta të besimtarëve nga bashkësitë kishtare. /Telegrafi/