Pas disa anulimeve të koncerteve të tij të planifikuara, duke shqetësuar fansat e tij, Zayn Malik u rikthye në skenë duke mbajtur një koncert në Leeds të Anglisë.
Ai i preku të gjithë të pranishmit në fund të performancës kur i bëri një homazh Liam Payne-it, ish-anëtarit të grupit One Direction, i cili humbi jetën tragjikisht.
Gjatë interpretimit të këngës së tij “Stardust”, në ekranin prapa tij u shfaq një mesazh i madh: “Liam Payne 1993-2024. Të dua, vëlla”.
https://twitter.com/edeenzz/status/1860431922658173280
“Kam qarë kur e pashë këtë”, “Respekt, Zayn, kjo na duhej”, shkruanin fansat e tij në rrjetin social X (ish Twitter).
Për të kujtuar, Zayn dhe Liam ishin pjesë e grupit One Direction, së bashku me Niall Horan, Louis Tomlinson dhe Harry Styles. Grupi pati sukses të jashtëzakonshëm global, duke u bërë një nga bandat me shitjet më të larta të dekadës. Pas një pauze të shpallur në vitin 2015, ata nuk u ribashkuan më.
Liam Payne, 31 vjeç, humbi jetën më 16 tetor në një rënie tragjike nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires.
Më 20 nëntor u mbajt ceremonia mortore në Wolverhampton, vendlindja e tij. Përveç familjes dhe miqve, në ceremoninë mortore u mblodhën të gjithë anëtarët e One Direction, si dhe Simon Cowell, njeriu që krijoi grupin popullor. /Telegrafi/