Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, pas përfundimit të vizitës së sotme në Maqedoni shprehu shqetësime për gjendjen në vend dhe ju bëri thirrje liderëve t’i japin fund krizës politike në interes të qytetarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Tejkalimi i krizës politike dhe kthimi i stabilitetit duhet të jetë prioriteti kryesorë. Çelësi për zgjidhjen e krizës është në duart e aktorëve politik të cilët duhet të ballafaqohen me rreziqet dhe të zgjidhin krizën politike për të mirë të qytetarëve”, tha Zannier.
Ai theksoi se rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor të vitit 2016 sigurojnë bazë solide për formimin e qeverisë dhe bëri thirrje Parlamentit të fillojë me punë, në përputhshmëri me parimet demokratike dhe në pajtim me sundimin e së drejtës.
Zannier i dënoi mesazhet nxitëse dhe incidentet të kohës së fundit të cilat mund të çojnë drejt përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe theksoi se Marrëveshja e Ohrit është me rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve./Telegrafi/