Nicolo Zaniolo ka pranuar të largohet nga Roma dhe karrierën do ta vazhdoj në elitën e futbollit anglez Ligën Premier.
Sulmuesi italian kërkonte largimin nga Roma për t’iu bashkuar Milanit, por kampioni në fuqi i Italisë nuk ka mundur të paraqes një ofertë që e kënaq Romën për ta lënë të lirë lojtarin.
Kësisoj ka përfituar skuadra angleze Bournemouth që ka bërë një ofertë zyrtare prej 30 milionë euro, plus pesë të tjera në formë bonusesh dhe i ka lënë Romës 15 për qind të kartonit nga shitja e ardhshme.
Calciomercato ka raportuar se detajet e fundit janë duke u diskutuar mes agjentëve të lojtarit dhe drejtuesve të Bournemouth të cilët sot kanë udhëtuar drejt Italisë.
Zaniolo ka kërkuar një klauzolë largimi nga klubi anglez nëse Bournemouth humb statusin e ekipit elitar.
Duket se me pagën është pajtuar reprezentuesi italian, pasi Bournemouth i ka ofruar atij rreth pesë milionë euro në sezon, dyfishin më shumë se sa fiton te Roma.
Nga ana tjetër Giallorosët do ta zëvendësojnë italianin me anësorin e Chelseat, Hakim Ziyech i cili ka pranuar transferimin në Olimpico. /Telegrafi/