Site icon Telegrafi

Zanfina Ismaili me kritika ndaj Përparim Ramës për çështjen e qenve endacakë: Më është gërditur jeta në Kosovë, s’po dallojmë prej Sirisë e Afganistanit

Një video sensitive e cila po qarkullon së fundmi në rrjetet sociale, ka prekur thellësisht këngëtaren e njohur Zanfina Ismaili.

Bëhet fjalë për një video ecila thueht se është realizuar në një strehimore të qenve në Prishtinë, ku dy qen shihen me sjellje agresive me njëri-tjetrin, si pasojë e mungesës së kushteve dhe luftës për mbijetesë.

Interpretuesja e hitit “As i fundit, as i pari” nuk hezitoi që të shpreh indinjatën e saj në Instagram, duke rishpërndarë videon në InstaStory dhe duke adresuar kritika ndaj Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Foto: Zanfina Ismaili/InstaStory

“Përparim Rama, kryetar i nderuar, a është kasaphane kjo, a është ‘strehimore humane’? Ku po sheh humanitet, aman as dritare, u copëtuan mes vete, pas 23 dite me i qit në gjumë të përjetshëm? E keni qel këtë dështim prej strehimores me i masakru si paraprakët e tu apo ku është arsyeja? Shpjego të lutem se kjo është gjithçka pos humanitet”, ka shkruar Ismaili.

Tutje, Zanfina ka shkruar se mënyra se si trajtohen kafshët në vend kanë bërë që ajo të indinjohet thellë, aq sa të mos e dëshirojë më jetesën në Kosovë.

“Hapim strehimore me i kënaq ata ‘primitivët’ që iu duken qentë arusha, e ikin pa iu bërë asgjë qeni, se iu nevojiten votat, ah po njëmend edhe tenderët. Tani çka ndodh atje brenda katër mureve s’ka lidhje apo? Se ti ke bo ‘zgjidhje’! Cilën zgjidhje more me vra qen e me lënë të rrahen mes vete? Cilën? A po fle natën mirë edhe butë e ngrohte me barkun plot? A keni ndërgjegje? Zoti i ka falë qentë jo dreqi, bëjeni dallimin se asgjë s’po dallojmë kohëve të fundit prej Sirisë e Afganistanit! Më është gërditur jeta në Kosovë”, ka shkruar tutje Zanfina.

Foto: Zanfina Ismaili/InstaStory

Ndryshe, këngëtarja e shumë hiteve të dikurshme në estradë ka tash e sa vjet që është larguar nga muzika dhe nuk ka dhënë sinjale për një rikthim të mundshëm. /Telegrafi/

Adelina dhe Zanfina Ismaili (Foto :Zanfina Ismaili/Instagram)
Exit mobile version