Zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti, ka reaguar ndaj deklaratave të Roberto Mancinit, duke thënë se duhet të vlerësohet talenti pa marrë parasysh kombësinë.
Përzgjedhësi i Italisë ka kërkuar nga klubet e Serie A që t’u japin më shumë hapësirë futbollistëve të rinj italianë, mirëpo një nga ish-lojtarët e tij mendon se nuk është kaq e thjeshtë.
“Pas dështimit për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror, është e domosdoshme që të punohet në përmirësimin e italianëve të rinj”, ka thënë Zanetti për ANSA duke u pajtuar me planin e Mancinit.
“Mancini është padyshim njeriu i duhur për ta bërë kërë. Megjithatë, në ligë, pavarësisht kombësisë, mendoj se duhet të vlerësohet talenti”.
“Në bazë qëndron rregulli, kush është më i miri luan. Ekipi kombëtar i Italisë duhet të fillojë nga e para dhe i nevojiten lojtarët më të mirë”.
“Të gjithë jemi të lumtur kur ka lojtarë të mirë italianë në fushë, kjo reflekton në sistemin e mirë të të rinjve të një klubi”, është shprehur legjenda argjentinase.
Zanetti ka luajtur nën urdhrat e Mancinit, gjatë kohës kur ai ishte trajner i Interit. /Telegrafi/