Site icon Telegrafi

Zanatçinjtë e Maqedonisë ikin jashtë për të punuar

Kompanitë vendore private në Maqedoni pothuajse 10 vitet e fundit po përballen me problemin e gjetjes se fuqisë punëtore të kualifikuar.

Edhe përkundër shpalljeve të shumta të publikuara për pranimin e punëtorëve profesionist, si magazinues, shitës, instalues të rrymës, murator, pastrues, ekonomistë, këto vende të punës dhe të shumë profesioneve të tjera nëpër kompanitë private, edhe më tej mbeten te zbrazura.

Pronari i kompanisë vendore për prodhime të qumështit “EKO-SHARR”, Kasam Zendeli, thotë se përveç se Maqedonia ndër vite po ballafaqohen me numrin më të madh të papunëve, në anën tjetër pothuajse shumë sektorë të ndryshëm të bizneseve private në Maqedoni 10 vitet e fundit kanë mungesë të punëtorëve profesional.

“Dhjetë vitet e fundit kemi probleme me sigurimin e punëtorëve të kualifikuara edhe përkundër faktit se ekziston fuqi punëtore të cilat kanë kryer një zanat në aspektin teorik, por në aspektin praktik nuk ka aspak njohuri. Arsyeja tjetër është se ata zanatlinj që kanë përvojë si instalues rryme, ujit, murator apo teneqepunues, ata aspak nuk dëshirojnë të paraqiten në shpalljet publike dhe të punësohen në Maqedoni, por ikin drejt vendeve të Evropës. Zanatlinjtë profesionistë nuk punojnë në Maqedoni. Ky kuadër i kualifikuar profesionistë në zanatin e tyre shkojnë në Gjermani, Austri, Zvicër e vend tjera të Evropës dhe rrezikojnë të punojnë në të zezë vetëm e vetëm të marrin rroga më të mira, qoftë edhe për një muaj. Bota jo vetëm që kërkon profesionistë, por edhe mirë i paguan. Vetëm këtë muaj nga fshati im janë larguar mbi 20 të rinj që kanë mbaruar shkollë profesionale për teknologji interneti dhe infermiere dhe kanë shkuar në Gjermani. Që të mund këta të rinj kuadër profesionistë t’i punësojmë në kompanitë private duhet t’u japin atyre rroga më të mira që të mund të pranojnë ofertat tona për punë. Ndërsa, ata të cilët e njohin mirë zanatin e tyre dhe kanë përvojë punojnë si taksitë dhe nuk duan aspak të punojnë zanatin e tyre në ndonjë kompani private me një rrogë minimale prej 12 mijë denarëve”, thotë Kasam Zendeli, pronar i firmës për prodhime qumështi “EKO-SHAR”.

Rënia e numrit të fuqisë punëtore në Maqedoni, sipas ekspertit ekonomik Arben Halili, veçanërisht të asaj me një kualifikim të caktuar, është si rezultat i disa faktorëve.

“Së pari një numër i konsiderueshëm i personave të aftë me një kualifikim të caktuar, në varshmëri të mundësive që kanë gjetur, janë shpërngulur jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë”, thotë Halili.

Si arsyeja e dytë që kompanitë privat ballafaqohem me mungesë e punëtorëve profesional, thekson Halili, është për shkak të dëshmive të politikave të cilat krijuan një masë kritike paraziti, duke dhënë ndihma sociale, por pa i obliguar shfrytëzuesit e këtyre masave të kryejnë ndonjë trajnim të specializuar në formë zanati.

“Vlerësoj se ky lloj ‘detyrimi’ për këtë kategori të fuqisë punëtore do të jepte efekte shumë pozitive në tregun e punës. Zbatimi i politikës që bëri sistemin arsimor për shkollat e mesme obligativ, shndërroi Maqedoninë në një vend të ‘diplomave’ të shumta, por të kualitetit të paktë të fuqisë punëtore. Pikërisht me këtë masë ‘u shua’ edhe ai potencial i paktë i zanatlinjve të rinj, sepse kjo ndikoi që shumë të rinj të cilët nuk kanë qenë të pirur shumë pas mësimit, por që mund të bëheshin mjeshtër të mirë, saldues, zdrukthëtarë, qelq prerës, etj, vetëm për shkak të politikave ndëshkimore të ndiqnin një shkollë të mesme.

Prandaj besoj që rishqyrtimi i politikës sociale dhe sistemit të obligueshëm të shkollave të mesme, për 2-3 vite mund të ndryshojë gjendjen aktuale me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar” thotë Arben Halili ekspert ekonomik.

Hendek mes ofertës dhe vendeve të punës

Analistja ekonomike Blagica Petreski vlerëson se arsyeja që të papunët në Maqedoni nuk konkurrojnë në shpalljet e firmave është për shkak se ekziston një hendek i lartë midis ofertave dhe kërkesave për vendet e reja të punës, si në aspektin e kuadrit kualifikues ashtu dhe në aspektin e sektorëve, por edhe se rrogat e ulëta minimale që ofrohen nga punëdhënësit, janë arsyeja kryesore se pse nuk ka të interesuar për t’u paraqitur në këto shpallje.

“Që të tejkalohet ky hendek është më se e domosdoshme të rritet produktiviteti dhe dalëngadalë të rriten rrogat. Në të njëjtën kohë duhet të promovohen profesione dhe të rinjtë të arsimohen për ato profesione që më së shumti kërkohen në tregun e punës në Maqedoni. Njëkohësisht, rroga minimale që ofrohet prej 10.800 denarë është arsyeja se pse një numër i madh i të papunëve që janë të kualifikuar për ato vende të punës që kërkohen, nuk tregojnë aspak interes të paraqiten në këto shpallje”, thotë Blagica Petreski, analiste ekonomike.

Exit mobile version