Telegrafi

Zanafilla e një lëvizjeje

Perëndimi demokratik kishte kthyer sytë nga Lindja komuniste. Fryma e ndryshimit po ua merrte anën pushteteve të hekurta të regjimeve diktatoriale. Gazetarët e mediave perëndimore po zhbironin zhvillimet e përnjëhershme nëpër shtetet nën ndikimin e Bashkimin Sovjetik, që mezi po mbahej në këmbë.
Komunizmit po i dridheshin themelet. Disa shtete tashmë kishin nisur fazën e ndryshimit të ngadalshëm politik. Në disa të tjera diktatorët nuk po tregonin shenja dorëzimi të pushtetit.

Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po merreshin më pak me Jugosllavinë, që gjatë luftës së ftohtë mundohej të përfitonte duke ruajtur aleancat me të dy kampet rivale, shkruan “Koha Ditore”.

Por 1989-shi ishte vit i ndryshimeve të mëdha politike. Jugosllavia po sfidohej përbrenda prej nacionalizmit serb. Minatorët e “Trepçës” paralajmëruan shkatërrimin e Jugosllavisë para se Serbia e Slobodan Milosheviqit t’ia suprimonte Kosovës autonominë në pranverën e vitit 1989.

Paralajmërimi për kryengritje i paqedashësit

Shqiptarët nuk kishin alternativë të strukturuar politike për artikulimin e kërkesave. Të pakta ishin gazetat evropiane që po raportonin hollësisht se si Serbia po ia shtrëngonte lakun Kosovës.

“Serbët po vijnë sërish si hakmarrës”, ishte titulli i së përjavshmes gjermane, “Der Spiegel”, më 26 qershor 1989, nxjerrë prej intervistës së zhvilluar me kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, dy ditë para se serbët të përkujtonin afër Prishtinës Betejën e humbur të Kosovës.