Një burrë ka mbetur duke luftuar për jetën e tij pas zhvillimit të sepsës vdekjeprurëse nga kafshimi i thonjve të tij.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, Ricky Kennedy thotë se ai është me fat që është gjallë pas kontraktimit të infeksionit nga gërvishtja e thoit të tij.
Siç thuhet më tej, 57-vjeçarit iu dha një shans 50% që të mbijetonte infeksionin dhe kaloi disa muaj në spitale duke “luftuar” me sëmundjen.
Sepsis vret rreth 44,000 njerëz në Britani të Madhe çdo vit dhe ndodh kur trupi reagon ndaj një infeksioni duke sulmuar organet dhe indet e veta.
Ndonëse ka shpëtuar, Ricky – i cili jeton në Westcliff me gruan Ghislaine, 65, ka mbetur me dëmtime të pjesëve të ndryshme të trupit, duke përfshirë një klavikulë të eroduar, artritin septik dhe astmën.
Ai tha: “Unë jam me fat që jam gjallë. Unë kurrë nuk do të jem aq i shëndetshëm ose aq i fortë sa isha, por unë jam ende këtu me familjen time dhe kjo është shumë e çmuar për mua”.
Ai ka shtuar se ka kafshuar thoin e tij për një kohë të gjatë dhe më pas vuri re një flluskë të vogël që formohej në gishtin e tij të madh.
Ricky shkoi te mjeku i tij pasi u shqetësua mbi flluskën dhe fillimisht iu dha antibiotikë për ta pastruar atë.
Megjithatë, infeksioni filloi të përhapet ndjeshëm deri në kraharor dhe brenda disa ditësh ai u dërgua në spital.
Ricky – i cili gjithashtu ka diabetin e tipit 2 – u lirua përfundimisht nga spitali në maj të këtij viti dhe kaloi dy muaj të tjerë në antibiotikë.
Ai vazhdoi: “Nuk më kujtohet ndonjë gjë që kur u dërgova për herë të parë në spital. Të gjitha që unë mund të kujtoj është se pyeta një infermiere nëse do të vdisja. /Telegrafi/