Telegrafi

Zafir Berisha e quan Vetëvendosjen “sekt politik” – thotë se shërbimet e huaja kanë investuar për 10 vite në të

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, ka reaguar ndaj një raporti të fundi të Parlamentit Evropian, lidhur me lajmet e rreme në të cilën përfshihet edhe Kosova.

Sipas raportit fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

E Berisha e ka quajtur “sekt politik” Vetëvendosjen, ndërsa ka thënë se raporti është hartuar nga pro-rusët dhe i njëjti po përdoret nga partia e Kurtit.

Sipas tij, shërbimet e huaja për 10 vite kanë investuar në VV.

“Në vazhdën e “shpëlarjes së trurit” militantëve të vetë, sekti politik po shfrytëzim “raportin” e pro-rusëve si Samuel Green i cili është drejtor i “Russia Institute” në “King’s London” dhe i cili jetoi e punoi në Moskë për 13 vjet!”

“As metodat “gebelsiane” të propagandës nuk do të dhezin më, edhe pse për me shumë se 10 vite, bukur shumë është investuar nga shërbimet e huaja sekrete në sektin politik të VV, duke i përdorur në dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe për të shkatërruar funksionalitetin e shtetit që është bërë me shumë mund dhe sakrifica ndër breza”, ka shkruar Berisha, njofton Telegrafi.