Telegrafi

Zaev-Stoltenberg: Pa marrëveshje me Greqinë, nuk ka as NATO as BE (Video)

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, pas takimit që pati me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, në konferencë për shtyp të përbashkët tha se në referendumin e 30 shtatorit qytetarët e Maqedonisë do ta kenë mundësinë të vendosin për të ardhmen e tyre.

Ai tha se NATO ka vendosur që ta pranojë Maqedoninë si anëtarja e 30-të dhe qytetarët duhet masovikisht të dalin në referendum më 30 shtator, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Siç e dini NATO në korrik lejoi që të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e vendit tuaj. Kompromisi nuk është i lehtë dhe ju e bëtë atë me Greqinë, për të zgjidhur kontestin e emrit. Më 30 shtator do të keni referendum, prandaj do të keni mundësi që zëri juaj të dëgjohet. Kjo është mundësi një herë në jetë të bëheni pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Bisedimet për anëtarësim janë në rrjedhë. Kjo është një mundësi për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon. Pasi Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s, investimet janë dyfishuar”.

“Ne jemi gati t’ju pranojmë si anëtarja e 30-të. Ekonomia po rritet dhe reformat po zbatohet. Ju inkurajoj të vazhdoni me reforma dhe kjo do t’ju bëj të punoni së bashku me Aleancën. Ne duam ta shohim vendin tuaj të ketë sukses dhe do t’ju mbështesim, por vetëm qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të vendosin. Pra e ardhmja juaj është në duart e juaja”, tha mes tjerash Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s u pyet nga gazetarët për takimin e tij me presidentin Ivanov dhe liderin e opozitës Hristijan Mickoski. Ai tha se ka pasur takim të mirë me ta dhe shtoi se pa pranimin dhe zbatimin e marrëveshjes me Greqinë është e pamundur që vendi të anëtarësohet në BE dhe NATO.

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij falënderoi Stoltenbergin për kontributin e tij për ftesën e NATO-s për Maqedoninë dhe u shpreh optimist se referendumi për marrëveshjen me Greqinë do të jetë i suksesshëm.

“Para se gjithash dua të përmend angazhimin e Stoltenberg për promovimin e bashkëpunimit të Maqedonisë dhe NATO-s. Qytetarët do ta kujtojnë se ai e nënshkroi ftesën për vendin tonë. Ftesa ndikoi pozitivisht në shoqërinë tonë të brendshme, treguam se vizioni dhe puna japin rezultate të shkëlqyeshme. Marrëveshjet tona me fqinjët forcojnë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.

“Kemi filluar reforma në gjitha fushat, ndërsa përparësi do t’u jepet sundimit të së drejtës, gjyqësorit dhe të drejtave të qytetarëve. Jam i bindur se qytetarët do ta njohin rëndësinë e këtij momenti dhe gjithashtu pres që gjitha partitë, sidomos opozita do të bashkëngjiten në procesin për referendumin. Qëllimi jonë për fushatën do të jetë të informojmë qytetarët për dobitë e anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO, si dhe për rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes me Greqinë. Pres që referendumi do të jetë i suksesshëm dhe më pas të fillojmë me ndryshimet kushtetuese pa shtyrje të shumta”, tha mes tjerash Zaev.

Ndërsa sa i përket dështimit të referendumit dhe mos përmbushjes së censusit , Zaev tha se është optimist dhe nuk dëshiron të mendon se “çfarë nëse dështon referendumi”./Telegrafi/