Regjisori i njohur amerikan, Zack Snyder, ka njoftuar se do të punojë për skenarin dhe regjinë e filmit fantastiko-shkencor, “Rebel Moon”.
Siç shkruan Variety, projekti i ri është frymëzuar nga “Star Wars” dhe arritjet e regjisorit japonez, Akira Kurosawa.
Ai do të bashkëpunojë me Shay Hatten dhe Kurt Johnstad për skenarin, ndërsa gruaja e tij, Deborah Snyder, do të bashkohet me të në produksion. Xhirimet janë caktuar të fillojnë në vitin 2022.
Filmi do të xhirohet në bashkëpunim me Netflix, nën kujdesin e të cilit regjisori kishte prezantuar më parë filmin “Army of the Dead”.
Realizimi në fjalë u prezantua më 21 maj 2021 dhe në katër javët e para të shfaqjes, u shikua nga më shumë se 72 milionë njerëz, gjë që e vendosi në mesin e dhjetë filmave më të shikuar në platformën Netflix. /Telegrafi/