Site icon Telegrafi

Zabërgja kërkon klub të ri

Pas një pritjeje pak më të gjatë, kryesia e klubit të Hysit dha shenjë për nisjen e përgatitjeve. Gjithsesi, ky ishte një lajm i mirë për dashamirët e skuadrës llapjane. Mirëpo, vetëm një ditë më pas vjen një lajm i keq. Është sulmuesi Enis Zabërgja, i cili ka vendosur t’i japë fund lidhjes me Hysin. Lajmi konfirmohet nga vet futbollisti. “Nga sot (dje) nuk jam pjesë e Hysit. Me drejtuesit e klubit kam pasur vetëm marrëveshje gojore, kështu që nuk më pengon askush të largohem”, njoftoi Zabërgja për ‘Sport Plus’.

Tutje, ai ka zbuluar edhe arsyet e largimit, duke thënë se klubi nuk ia ka plotësuar kushtet. “Po largohem për shkak se kryesia e klubit nuk mi ka plotësuar kushtet të cilat unë i kisha kërkuar dhe ata mi kishin premtuar. Unë nuk mund të pres më dhe tashmë jam futbollist i lirë, i hapur për të gjitha skuadrat e interesuara për mua”, shtoi Zabërgja.

Hysi llogarit në të

Pavarësisht faktit se Zabërgja ka konfirmuar ndarjen me Hysin, menaxheri i këtij klubi, Bashkim Sadiku thotë se llogarit në sulmuesin vushtrrias. “Enis Zabërgja është lojtar shumë interesant. Mungon shumë në stërvitje. Ndoshta gjatë tërë javës vetëm dy ditë vjen për të stërvitur. Tash nuk po vjen në ushtrime, por kjo nuk është e rastësishme. Ne llogarisim në të”, deklaroi Sadiku. Ai është i kënaqur me angazhimin e futbollistëve tjerë në përgatitje.

Zabërgja ka tri oferta

Në adresë të Zabërgjës menjëherë kanë arritur tri oferta. Ai thotë se janë tri skuadra të Superligës që e kanë kontaktuar. “Kam oferta nga tri ekipe të Superligës tonë. Deri më tani nuk ka asgjë konkrete, prandaj edhe nuk mund të zbuloj ndonjë emër”, deklaroi Zabërgja. Ai në stinorin vjeshtor realizoi dy gola për Hysin, derisa asistoi disa herë për bashkëlojtarët. Vushtrriasi vazhdon të jetë njëri nga lojtarët e Superligës me përkujdesjen më të madhe nga kundërshtarët për shkak të rrezikshmërisë që mund t’u sjellë ai para porte. “Do të kisha shënuar më shumë gola sikur të mos më ruanin nga dy-tre lojtarë kundërshtarë. Mirëpo, edhe ashtu po u krijoj hapësira bashkëlojtarëve”, ka përfunduar Zabërgja, i cili ishte te Trepça para se të rikthehej te Hysi. /Telegrafi/
 

Exit mobile version