Cherkaski Mavpy ka qenë kundërshtari i radhës i Z Mobile Prishtinës në kuadër të garës FIBA Europe Cup, në ndeshjen të cilën bardhekaltrit e fituan me rezultat 92-73.
Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës luajti më mirë në çerekun e parë duke i shënuar gjashtë pikë më shumë se kundërshtari (15:21).
Në dhjetëminutëshin e dytë, nikoqirët shënuan një pikë më shumë (26:25), mirëpo mjaftoi avantazhi nga fraksioni i parë që Prishtina të shkonte në pushim me epërsi.
Pas kthimit nga pauza, ekipi vizitor ishte tejet bindës (16:31) duke e ngritur akoma më shumë rezultatin.
Vendasit u përpoqën t’i ndryshonin gjërat në çerekun e fundit (16:15), por nuk ia dolën ndaj skuadrës së fortë të Kosovës.
Kjo ishte fitorja e tretë e Z Mobile Prishtinës në katër xhirot e para në Grupin E të FIBA Europe Cup, ku ka pësuar edhe një humbje dhe pozicionohet në vend të dytë në grup me shtatë pikë, një më pak se lideri Bakken Bears.
Me këtë triumf, skuadra nga Kosova ka siguruar kualifikimin historik në mesin e 16 më të mirëve në FIBA Europe Cup.
Për Cherkassky Mavpyn, kjo ishte humbja e tretë në grup, ndërsa ka arritur vetëm një fitore. /Telegrafi/