Site icon Telegrafi

Z Mobile: Nuk qëndrojnë pohimet e Ismet Hamitit, na kurseni nga lufta politike

Drejtuesit e Z Mobile, kanë reaguar sot pas një konference të Lëvizjes “Vetëvendosjes”, ku ishin shprehur kundër kontratës së nënshkruar nga Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës për mos pagesën e 32 milionë euro pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Arbitrazhit ën Londër.

Sipas, Z Mobile, nuk qëndron asnjë pohim i dhënë sot në një konferencë për media nga kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje!” për deputet, Ismet Hamiti, dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti.

Sipas tyre, ligjshmëria e kontratës Z Mobile dhe PTK është vërtetuar nga një proces gjyqësor i EULEX-it, i cili ka zgjatur rreth 5 vjet dhe ka përfunduar duke mos gjetur asnjë parregullsi. “Mospërmbushja e kontratës nga ana e PTK-së është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit dhe është vërtetuar edhe nga Gjykata e Lartë në Londër”.

Me këtë nënkuptohet se janë tri procese gjyqtare ndërkombëtare, plotësisht të paanshme e profesionale, që kanë qartësuar edhe kontratat edhe obligimet.
“Të kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vlerësuar dëmshpërblimin për Z Mobile, si dhe ka paraparë që të vazhdohet liferimi i numrave shtesë dhe shërbimeve 3G dhe 4G. Me këtë aktgjykim të Gjykatës, Z Mobiles i kanë takuar edhe dëmshpërblimi prej 32 milionësh edhe numrat shtesë, si dhe 3G dhe 4G, mirëpo ne në Z Mobile kemi vendosur që të mos i marrim paratë e dëmshpërblimit, me qëllim që të mos dëmtojmë në asnjë mënyrë të punësuarit në PTK”, thekson komunikata për media e Z Mobile.

Për këto arsye, të gjitha insinuatat dhe pretendimet e individëve ose grupacioneve të caktuara, kanë për qëllim vetëm përfitime personale ose luftë politike, në të cilën ne nuk jemi të interesuar të përfshihemi.

“Ne do të konsultohemi me avokatët tanë, në mënyrë që për shpifjet dhe kalkulimet e qëllimshme dashakëqija të prezantuara në konferencë nga kandidati për deputet i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Hamiti, t’i drejtohemi gjykatës. Është e ulët dhe e dhimbshme që këta dy kandidatë na përdorin ne për të bërë fushatë elektorale dhe për të sulmuar kundërshtarët politikë, PDK e LDK, si dhe për të përfituar vota të lira”, thuhet në komunikatën e Z Mobile, duke i bërë thirrje partive politike nga fushatat për zgjedhjet e 11 qershorit. /Telegrafi/

Exit mobile version