Site icon Telegrafi

Youtube teston aplikacionin e ri të Inteligjencës Artificiale, që mundëson “klonimin” e zërave të artistëve

Youtube ka testuar një aplikacion të ri të Inteligjencës Artificiale të quajtur Dream Track, që lejon përdoruesit të imitojnë yjet e muzikës.

Mediat raportojnë se nëntë artistë kanë lejuar që zëri i tyre “të klonohet” nga softueri, duke përfshirë Charli XCX, Troye Sivan, T-Pain dhe Sia.

“Në këtë fazë fillestare, eksperimenti po realizohet për të treguar se si teknologjia mund të përdoret për të krijuar lidhje më të thella midis artistëve dhe krijuesve, dhe në fund, fansave të tyre”, ka thënë Lyor Cohen, i cili ndihmoi në nisjen e karrierës së artistëve si Run-DMC dhe Beastie Boys.

Ndryshe, Dream Track ka marrë miratimin e artistëve të përfshirë.

Ky mjet thuhet se u krijua për të testuar, mësuar, marrë reagime dhe dëgjuar ide nga artistët dhe shikuesit.

Në prill të këtij viti, kompania Universal Music, kërkoi largimin e transmetimit të një kënge e cila përdorte vokalet e artistëve Drake dhe The Weeknd, të krijuara nga Inteligjenca Artificiale.

Kjo për faktin se sipas tyre kjo përbënte një shkelje të ligjit të së drejtës së autorit.

Ndryshe, kreu i Universal Music, Lucian Grainge, ishte një ndër figurat e industrisë muzikore që mbështetën zhvillimin e fundit të Youtube.

Komentet e tij u bënë jehonë nga artistët e përfshirë.

Përveç Youtube, edhe Google paralajmëroi disa zhvillime të reja që përfshijnë një mjet që lejon artistët të këndojnë një melodi dhe që softueri të luajë në instrumente varësisht prej melodisë. /Telegrafi/

Exit mobile version