YouTube ka bllokuar tri kanale ruse, të cilat udhëhiqeshin nga oligarku rus Konstantin Malofeev dhe ideologu i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandar Dugin.
Përveç kanaleve të YouTube “Carigrad”, “Shqiponja dykrerëshe” atyre u janë mbyllur edhe llogaritë e postës elektronike të Gmail, të cilat japin qasje në YouTube.
Kanalet televizive ruse, “Carigrad” dhe “Shqiponja me dy koka”, që propagandonin për interesa të Kremlinit, ishin themeluar nga Malofeev, i afërt me Putinin. Aktivitetet kryesore të tij janë propaganda përmes organizatave që janë të afërta me kishën Ortodokse Ruse.
Kanali televiziv “Paideuma.tv”, i themeluar nga Aleksandar Dugin, gjithashtu ka propaganduar për interesa të Moskës zyrtare.
Ndryshe, Aleksander Dugin, quhet edhe si “Truri i Putinit” (Putin’s Brain), është ithtar dhe ideolog i ringritjes së Rusisë në kufijtë e Perandorisë Ruse dhe krijimit të Aleancës së Euro-Azisë, në të cilën Rusia do ta kishte rolin kryesor dhe do të bllokonte zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-së në shtetet e Evropës Lindore.
Dugin gjatë viteve të fundit ka qenë mjaft aktiv në Ballkanin Perëndimor. Ai ishte munduar që përmes thirrjeve për organizatat pro-ruse në Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore, të bllokojë procesin e anëtarësimit të këtyre dy shteteve në NATO. /KP/