Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se sot u pa edhe një zmbrapsje e Qeverisë për Demarkacionin.
“Është shumë mirë që kjo marrëveshje nuk u ngjall nga Qeveria për në Kuvend. Qeveria qe dy vjet dhe sot insistoi ta dëmtojë interesin e Kosovës. Është e domosdoshme që të mërkurën kjo Qeveri të bie për ta shpëtuar territorin e Kosovës. Ne do të protestojmë për ndalimin e Demarkacionit kurdo që ndodhë. Për format e protestës do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Ymeri.
Ai më tej ka thënë se kreu i PDk-së, Kadri Veseli dhe ai i LDk-së, Isa Mustafa janë duke garuar për postin e kryeministrit. Ymeri ka thënë se Kosova duhet të shkëputet nga kjo qeverisje e individëve.
“Ditëve të fundit është parë një lloj gare mes partnerëve të koalicionit qeverisës, në mes të Isa Mustafës dhe Kadri Veslit dhe kjo tregon vetëm një gjë se ata në kokën e tyre e kanë vetëm kolltukun e tyre, njëri të mbeten në pozitën e kryeministrit tjetri të vjen në këtë pozitë. Kjo dëshmon dhe bën edhe më urgjente rrëzimin e kësaj qeverie si dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike në Republikën e Kosovës… Kosova duhet të shkëputet nga kjo qeverisje e individëve të papërgjegjshëm… Është e domosdoshme që kjo Qeveri të bie”, ka shtuar Ymeri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Glauk Konjufca falënderoi deputetët për këmbënguljen e tyre që kanë qenë kundër demarkacionit nga pozita e që janë rreth 15 prej tyre.
“Këto tërheqje të shumta që i kemi pas nga kjo qeverisje janë shumë dhe këtë Qeveri duhet ta rrëzojmë sa më shpejt”, tha Konjufca./Telegrafi/