Telegrafi

Ymeri tregon arsyet e shtyrjes së protestës

Pas shtyrjes së protestës së opozitës për një afat të pacaktuar, e planifikuar të mbahet nesër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visa Ymeri, përmes një postimi në Facebook shkruan se opozita e bashkuar ka nevojë për më shumë konsolidim nga brenda dhe, sipas tij, protesta është më mirë që të shtyhet në prag të festës së Pashkëve.

“Miq të dashur,Opozita e bashkuar ka marrë vendim ta shtyjë protestën e paralajmëruar për nesër. Opozita e bashkuar ka nevojë për më shumë konsolidim të brendshëm e për zgjerim të frontit opozitar. Regjimi autoritar në Kosovë luftohet suksesshëm vetëm me Alternativë të bashkuar qytetare e shoqërore. Po ashtu, duke pasur parasysh provokimet dhe sulmet policore mbi aktivitetet opozitare, është më mirë që në vigjile të festës së Pashkëve të mos mbahet kjo protestë, por ajo të shtyhet për një datë tjetër”, ka theksuar Ymeri.

Ymeri thotë se opozita e bashkuar duhet të jetë edhe më e vendosur në kundërshtimin e ‘Zajednicës’ së Serbisë, që kjo Qeveri synon ta ringjallë dhe të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi që ai thotë se i humb mbi 8.200 hektarë të territorit të Kosovës.

“Presim që Komisioni ad-hoc për vlerësimin e Marrëveshjes për Demarkacion ta konfirmojë qëndrimi tonë opozitar, si qëndrim i drejtë dhe i argumentuar. Kosova nuk ka tokë për të falur”, shkruan kryetari i VV-së në Facebook.

Ymeri, në fund thotë se opozita e bashkuar kërkon zgjedhje të reja parlamentare sepse, sipas tij, Qeveria aktuale është dëshmuar si anti-kushtetuese.

“Kurse kërkesa jonë për referendum u pat refuzuar prej saj”, thekson ai në fund.